NGËRÇI NË KUVEND KUSHTON 800 MLN € / KOSOVA RREZIKON TË HUMBASË FONDET E PLANIT TË RRITJES

Zvarritja e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re mund t’i kushtojë Kosovës humbjen e fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, paralajmërojnë ekspertët.

Plani i Rritjes, i miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, përfshin një paketë prej 6 miliardë eurosh, të dedikuar për mbështetjen e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë periudhës 2024–2027. Nga kjo shumë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro.

Edhe pse Kosova ishte ndër vendet e para që miratuan agjendën e reformave të kërkuara, mjetet financiare mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve funksionale që do të ratifikonin marrëveshjen formale me BE-në.

Sipas ekspertëve, vonesat në konstituimin e institucioneve bllokojnë jo vetëm fondet, por edhe zbatimin e reformave strukturore që lidhen me këtë program.

Nëse Kosova nuk arrin t’i tërheqë dhe t’i përdorë këto fonde brenda afateve të përcaktuara, ekziston rrezik i lartë që ato të humbasin.

Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar më 10 tetor, por procesi është kontestuar për herë të dytë në Gjykatën Kushtetuese nga Lista Serbe.

Ndërkohë, vendi mbetet ende me Qeveri në detyrë, edhe pse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë mandatin për formimin e ekzekutivit të ri. Komisioni Evropian bëri të ditur në prill të vitit 2024 se, nëse partnerët e Ballkanit Perëndimor nuk i përmbushin kushtet, pagesat nga Plani i Rritjes mund të pezullohen pjesërisht ose plotësisht.

SHARE