KOSOVA SHQYRTON MUNDËSINË E NDËRTIMIT TË QENDRAVE PËR KTHIMIN E AZILKËRKUESVE NGA BRITANIA

Kosova është bërë vendi i parë që ka konfirmuar publikisht se po shqyrton mundësinë e ndërtimit të qendrave për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar, transmeton Anadolu.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se “Kosova dëshiron të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, në këmbim të mbështetjes për forcimin e sigurisë ndaj kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia”.

Në prag të Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Londër, Kurti konfirmoi se po zhvillohen bisedime ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje.

“Ne duam ta ndihmojmë Britaninë. E shohim këtë si detyrim miqësor dhe politik. Edhe pse kemi kapacitete të kufizuara, jemi të gatshëm të kontribuojmë”, ka thënë ai për gazetën e përditshme britanike “Times”.

Tri shtete të tjera të rajonit, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, kanë refuzuar ofertën britanike për ngritjen e qendrave të tilla.

Kryeministri shqiptar Edi Rama përsëriti se “asnjëherë në Shqipëri” nuk do të pranohej një marrëveshje e tillë, ndërsa homologu malazez Milojko Spajiq u shpreh se Mali i Zi nuk është pjesë e rrugës së kontrabandës së emigrantëve në Ballkan.

Britania po kërkon partnerë në rajon si pjesë e përpjekjeve për të frenuar kalimet e paligjshme përmes Kanalit të La Manche, ku këtë vit janë regjistruar rreth 37 mijë emigrantë, një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Muaj më parë, Qeveria në detyrë e Kosovës ishte shprehur e hapur për të biseduar më Britaninë për ndërtimin e qendrave për strehimin e azilkërkuesve të refuzuar nga ky vend. Por, kjo është hera e parë që ajo ofron haptazi se është e gatshme për këtë dhe Kurti i bëri këto komente një ditë para samitit që do të udhëhiqet nga kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe në të cilin ai do të marrë pjesë.

SHARE