Një person është plagosur si pasojë e të shtënave të mërkurën pranë Kuvendit të Serbisë në Beograd gjatë një incidenti ku shpërtheu edhe zjarri në një tendë aty pranë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar këtë incident si “akt terrorist”.
Duke folur në një ceremoni për nënshkrimin e një kontrate për ndarjen e fondeve për blerjen e shtëpive rurale, Vuçiq tha se i duhej të largohej nga kjo ngjarje për shkak të “aktit terrorist para Kuvendit të Serbisë”.
Ndërkohë, zjarri në tendë u shua rreth mesditës pasi ndërhynë zjarrfikësit dhe tymi që dilte nga tenda u zhduk pothuajse plotësisht, raportoi një gazetar i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Policia ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se çfarë ka ndodhur dhe çfarë e shkaktoi zjarrin që shpërtheu në tendat e vendosura në zonën që ruhet vazhdimisht nga policia.