TË PAKTËN GJASHTË TË VRARË, PËRFSHIRË FËMIJË, NË SULMET RUSE NË UKRAINË

Rusia ka kryer sulme të mëdha me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, duke i vrarë të paktën gjashtë njerëz, përfshirë dy fëmijë, thanë autoritetet të mërkurën.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për shtimin e trysnisë ndaj Kremlinit gjatë udhëtimit të tij drejt Suedisë, ku pritet të kërkojë më shumë armë mbrojtëse mes përpjekjeve të ngecura për paqe.

Zelensky i cilësoi si “të liga” sulmet ruse dhe tha se ato goditën infrastrukturën energjetike dhe civile në të paktën dhjetë rajone të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kievin.

“Një tjetër natë që dëshmon se Rusia ende nuk ndien mjaftueshëm trysni për zvarritjen e luftës… Fjalët e Rusisë për diplomacinë nuk kanë asnjë kuptim përderisa udhëheqja ruse nuk i ndien problemet kritike”, shkroi ai në X.

Zelensky, i cili po shkon në Suedi për të biseduar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtës mes dy vendeve, përsëriti pretendimin se armët me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën mund ta ndryshojnë rrjedhën e luftës gati katërvjeçare.

Më herët, Ukraina kishte lënë të kuptohet se vendimi i administratës amerikane për të mos miratuar dërgimin e raketave Tomahawk për Kievin, e kishte dobësuar pozicionin e saj diplomatik.

Teksa presidenti ukrainas po largohej nga Kievi herët në mëngjes, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave njoftoi se tre njerëz, përfshirë dy fëmijë, u vranë në këtë rajon.

Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, tha se të paktën 21 banorë u plagosën gjatë sulmeve.

Kryebashkiaku Vitaliy Klitschko shtoi se një fëmijë dyvjeçar ishte në mesin e plagosurve.

Klitschko shtoi se copëzat e dronëve dhe raketave të shkatërruara shkaktuan zjarr në distriktet Dnipro, Peçersk dhe Darnitsia të Kievit, duke dëmtuar ndërtesa banimi dhe objekte industriale.

Sulmet filluan natën mes të martës dhe mërkurës, ndërsa dëshmitarët raportuan shpërthime dhe aktivizim të forcave të mbrojtjes ajrore.

SHARE