Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Përfaqësuesit e Qeverisë dhe kompanisë Alcazar Energy kanë nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi, me të cilin kanë shprehur synimin e përbashkët për të bashkëpunuar në zhvillimin dhe financimin e projekteve të energjisë nga burime të ripërtëritshme në Mal të Zi.
Ky dokument, siç u bë e ditur, konfirmon përkushtimin strategjik të të dyja palëve ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekonomisë së gjelbër, si dhe ambicien për të përmirësuar kornizën investuese dhe për të nxitur një partneritet afatgjatë në sektorin e energjisë.
Sipas Memorandumit, Alcazar Energy Partners ka siguruar tashmë rreth 200 milionë euro për projektin e parkut të erës në Bijella, ndërsa kompania synon që deri në fund të vitit 2030 të rrisë investimet e huaja direkte në Mal të Zi në 500 milionë euro.
“Memorandumi është shprehje e vullnetit të nënshkruesve për të eksploruar mundësitë e zgjerimit të pranisë investuese të Alcazar Energy në vend, si dhe për të punuar së bashku në projekte që kontribuojnë në tranzicionin energjetik, sigurinë e furnizimit dhe qëndrueshmërinë ekonomike afatgjatë të Malit të Zi”, thuhet në njoftim.
Qeveria përshëndeti nismat për rritjen e investimeve në burimet e ripërtëritshme, duke theksuar se është e përkushtuar në përmirësimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm dhe ekonomi të gjelbër.
Daniel Calderon, partner menaxhues në Alcazar Energy, deklaroi se nënshkrimi i Memorandumit konfirmon se Mali i Zi është partner afatgjatë në tranzicionin energjetik.
“Ne sjellim përvojë ndërkombëtare dhe teknologji, por njësoj të rëndësishëm e konsiderojmë zhvillimin e kapaciteteve vendase, trajnim të fuqisë punëtore, përfshirje të furnitorëve lokalë dhe procese transparente që forcojnë besimin e komunitetit. Qëllimi ynë është të realizojmë projektet sipas standardeve më të larta të mbrojtjes së mjedisit dhe që, së bashku me Qeverinë, të përshpejtojmë rrugën drejt energjisë të qëndrueshme, të pastër dhe konkurruese për qytetarët dhe ekonominë”, tha Calderon.
Sipas tij, Mali i Zi ka potencial të bëhet lider rajonal në energjinë e pastër, dhe Memorandumi është kornizë për ta kthyer këtë potencial në rezultate konkrete.
Memorandumi u nënshkrua gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE – Mali i Zi, me titull Rritje e zgjuar, e ardhme e gjelbër: Përshpejtimi i investimeve në Mal të Zi, e cila u mbajt javën e kaluar në Llushticë.
“Projektet konkrete në vazhdim, strukturat dhe modelet investuese do të përcaktohen më vonë, në koordinim me përfaqësuesit e Qeverisë, duke respektuar standardet më të larta të qëndrueshmërisë, mbrojtjes së mjedisit dhe përfitimeve për komunitetet lokale”, thuhet në njoftim.