Foto: Ilustrim
Në Mal të Zi, këtë javë fillon vaksinimi kundër gripit sezonal në të gjitha qendrat shëndetësore, ka njoftuar Instituti për Shëndet Publik.
Qëllimi kryesor i vaksinimit është parandalimi i formave të rënda të sëmundjes, shtrimeve në spital dhe vdekjeve, veçanërisht te grupet më të rrezikuara.
Vaksinimi rekomandohet për:
- personat mbi 65 vjeç,
- personat mbi 6 muaj me sëmundje kronike të frymëmarrjes, zemrës, veshkave ose me çrregullime metabolike (si diabeti),
- personat me imunitet të dobësuar, përfshirë ata me HIV/AIDS apo që kanë bërë transplant,
- pacientët kronikë që qëndrojnë në institucione kolektive,
- punonjësit shëndetësorë, sidomos ata në kujdes intensiv, neonatologji dhe institucione për të sëmurët kronikë,
- gratë shtatzëna dhe fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç.
Do të përdoret vaksina katërvalente, e rekomanduar nga OBSH, që përfshin shtame të virusit të gripit të tipit A(H1N1), A(H3N2) dhe dy linja të virusit të tipit B. Imuniteti zhvillohet pas 2–3 javësh nga vaksinimi.
Vaksina nuk rekomandohet për personat që kanë pasur reaksione alergjike të rënda ndaj vaksinave të mëparshme të gripit ose përbërësve të saj.
Gjithashtu, në rast të një sëmundjeje akute, vaksinimi shtyhet deri në shërim.
Vaksina mund të merret njëkohësisht me vaksina të tjera, por në ekstremitete të ndryshme të trupit. ISHP do të zhvillojë edhe këtë vit aktivitete promovuese dhe edukative për të informuar popullatën për rëndësinë e vaksinimit.
Ndërkohë, vazhdon monitorimi epidemiologjik i gripit, COVID-19 dhe infeksioneve RSV, me publikime të rregullta në faqen zyrtare të institucionit.