Bashkimi Evropian (BE) po shqyrton mundësinë e lejimit të anëtarëve të rinj që të bashkohen me Unionin pa të drejtën e votës së plotë dhe vetos në fazën e parë.
Sipas informacionit të marrë nga burimet e BE-së, brenda Unionit po shqyrtohen formula të ndryshme për të kapërcyer veton e Hungarisë dhe për të çuar përpara procesin e pranimit të Ukrainës.
Midis këtyre, del në pah “pranimi i anëtarëve të rinj pa votë të plotë dhe veto në fazën e parë”.
Propozimi do të jetë në tryezën e udhëheqësve në Samitin e BE-së që do të zhvillohet më 23 tetor. Megjithatë, nuk priten vendime revolucionare në këtë fazë.
Propozimet për reforma për të përdorur votimin me shumicë të kualifikuar në vend të unanimitetit në proceset e vendimmarrjes janë diskutuar prej kohësh brenda BE-së.
Bllokimi i proceseve nga vetoja e një shteti anëtar të vetëm, veçanërisht në çështjet e politikës së jashtme dhe të zgjerimit, është kritikuar për dobësimin e efektivitetit të BE-së.
Disa shtete anëtare mbrojnë idenë që të kufizohet gradualisht e drejta e vetos dhe zbatimin e votimit me shumicë në fusha më të gjera.
Por, për shkak se ndryshime të tilla kërkojnë rishikime të traktateve, ato varen nga miratimi i të gjitha shteteve anëtare dhe progresi është i ngadaltë.