KUVENDI I MALIT TË ZI MIRATOI LIGJIN E RI PËR ARSIMIN E LARTË

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kuvendi i Malit të Zi miratoi sot Projektligjin për Arsimin e Lartë, me të cilin futet modeli fleksibël treciklik i studimeve.

Për miratimin e ligjit votuan 47 deputetë, ndërsa askush nuk ishte kundër apo i përmbajtur.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq Stojanoviq, duke arsyetuar projektligjin në Kuvend, tha se zgjidhja e re ligjore do të mundësojë një model shumë më fleksibël të studimeve, i cili do t’u përgjigjet në mënyrën e duhur nevojave të tregut të punës.

Ajo shpjegoi se me modelin e ri mundësohen studime bazë me 180 kredi.

“Në vend të modelit 3+2+3, për të cilin u pajtuam se nuk i përgjigjet siç duhet nevojave të tregut dhe fushave të ndryshme, kemi mundësuar studime bazë prej 180 kredish, studime pasuniversitare njëvjeçare ose dyvjeçare me 60 ose 120 kredi, doktoratura me 180 kredi, si dhe programe të integruara studimore me 300 ose 360 kredi”, tha Jakshiq Stojanoviq.

Sipas saj, në këtë mënyrë do t’u mundësohet institucioneve të arsimit të lartë të organizojnë programe studimore në përputhje me specifikat e fushave përkatëse.

“Studentët aktualë, ata që kanë regjistruar masterin dyvjeçar, pas vitit të katërt do të mund të marrin diplomën e studimeve specialistike”, shtoi ajo.

Ministrja theksoi se, sipas ligjit të ri, studentët e studimeve bazë dhe pasuniversitare në institucionet publike nuk do të paguajnë tarifë shkollimi, ndërsa personat me aftësi të kufizuara dhe anëtarët e komuniteteve rome dhe egjiptiane do të jenë të përjashtuar nga pagesa edhe në universitetet private.

Jakshiq Stojanoviq theksoi gjithashtu se, me ligjin e ri, ata që zgjidhen në tituj akademikë do të nënshkruajnë kontrata pa afat, dhe se zgjedhja në tituj nuk do të kryhet vetëm në Universitetin e Malit të Zi, por edhe në fakultetet e pavarura.

Ajo shtoi se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit do të përgatisë për herë të parë një Rregullore për regjistrimin e studentëve, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për regjistrimin në vitin e ardhshëm akademik.

SHARE