EVROPA PËRGATITET PËR KËRCËNIMET RUSE ME NJË PLAN MBROJTËS NË KATËR SHTYLLA

Përballë një rreziku të shtuar nga Rusia, Evropa po përgatit një strategji të sofistikuar mbrojtjeje që mbështetet në katër shtylla kryesore: mburojë ajrore, mburojë hapësinore, mur dronësh, dhe mbikëqyrje të përforcuar të kufijve lindorë.

Pas një sërë incidentesh dhe inkursionesh ajrore të përsëritura nga ana e Moskës, të cilat kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e hapësirës ajrore dhe të infrastrukturës kritike të BE-së, kontinenti po hyn në një fazë të re të gatishmërisë strategjike.

Dronë të paidentifikuar, avionë luftarakë rusë dhe veprime të dyshuara sabotimi kanë shkaktuar ndërprerje në disa prej aeroporteve më të mëdha të Evropës në javët e fundit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi së fundmi se BE ka nevojë për një sistem mbrojtës ajror me shumë shtresa, që do të jetë në gjendje të përballojë sulme me dronë dhe raketa, si dhe forma të tjera të luftës hibride.

Komisioni Evropian ka propozuar tashmë katër projekte kyçe që synojnë të përforcojnë mbrojtjen e Evropës deri në vitin 2030:

  • Mburoja Ajrore Evropiane – Një sistem i përbashkët për mbrojtjen nga raketat, avionët armiqësorë dhe kërcënimet ajrore, që synon të përmirësojë ndërveprimin mes vendeve anëtare dhe të krijojë një mbrojtje kolektive efikase.
  • Mburoja Hapësinore Evropiane – Do të mbrojë asetet dhe shërbimet strategjike në orbitë, përfshirë sistemet e komunikimit dhe satelitët e navigimit, të cilat janë jetike për mbrojtjen dhe funksionimin e ekonomisë moderne.
  • Muri i Dronëve – Një rrjet teknologjik për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve të rrezikshëm, veçanërisht në hapësirat urbane dhe rreth objekteve kritike të infrastrukturës.
  • Programi “Eastern Flank Watch” – Një iniciativë e posaçme për të forcuar mbrojtjen tokësore dhe ajrore përgjatë kufirit lindor të BE-së me Rusinë, që do të përfundojë deri në fund të vitit 2028. Programi përfshin ngritjen e një sistemi të avancuar vëzhgimi, radarësh dhe mjetesh mbrojtëse.

Ndërsa planet po marrin formë, Komisioni Evropian ende nuk ka dhënë një vlerësim zyrtar për kostot e projekteve.

Megjithatë, pritshmëritë janë që buxheti të jetë i konsiderueshëm, duke qenë se këto sisteme kërkojnë investime të mëdha në teknologji, infrastrukturë dhe bashkëpunim ushtarak ndërkufitar.

Evropa, përmes këtyre hapave, synon jo vetëm të mbrojë territorin e saj, por edhe të japë një mesazh të qartë uniteti dhe fuqie mbrojtëse përballë çdo agresioni të mundshëm.

SHARE