Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi nuk ka mbështetur asnjë nga tre kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Kandidatët që ishin propozuar nga Komisioni përkatës ishin Jovan Jovanoviq dhe Mirjana Radoviq.
Ndërkohë, në procedurë parlamentare ishte edhe propozimi i presidentit të shtetit që Mirjana Vuçiniq të zgjidhej gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.
Për kandidaten e presidentit Millatoviq, Mirjana Vuçiniq, votuan 16 deputetë, askush nuk ishte kundër, ndërsa 44 ishin të përmbajtur.
Për Jovan Jovanoviq votuan 45 deputetë, një ishte kundër, dhe pesë të përmbajtur.
Për Mirjana Radoviq votuan 44 deputetë, një ishte kundër, dhe pesë të përmbajtur.
Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, tha: “Duke pasur parasysh që asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e nevojshme prej dy të tretash në votimin e parë, për kandidatët e propozuar do të votohet përsëri pas një muaji, në raundin e dytë, ku sipas amendamentit 7 kërkohet shumica prej tre të pestave, pra 49 vota.”
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se qëllimi i moszgjedhjes së gjyqtarëve është “kapja” e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që ajo të mos mund të ndalë atë që ai e quajti “shitja totale e shtetit” nga shumica parlamentare, e cila sipas tij vazhdon politikën e vjetër të PDS-së.
Ai theksoi se pa sundim të ligjit nuk ka integrim në BE, dhe se pa Gjykatë Kushtetuese nuk ka sundim të ligjit. Millatoviq kujtoi se më parë u shty vendimi për shkak të pritjes së mendimit të Komisionit të Venecias lidhur me një krizë kushtetuese të shkaktuar nga pensionimi jo-kushtetues i një gjyqtareje, çka u konfirmua nga Komisioni Evropian dhe ai i Venecias.
Ai u shpreh i gatshëm të zhvillojë konsultime bilaterale me çdo deputet javën e ardhshme për të dhënë përgjigje mbi kandidatin që ai ka propozuar, duke theksuar se nuk do të bëjë pazare politike dhe se tashmë të gjitha paqartësitë janë sqaruar.