Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se është e rëndësishme për Kosovën të vazhdojë të ndërtojë institucione të fuqishme dhe t’i “ulë tensionet” në vend, pas takimeve që pati me udhëheqësit e vendit të mërkurën në Prishtinë.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku që të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, t’i ulë tensionet në vend, dhe gjithashtu t’i përfundojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, shkroi ajo në llogarinë e vet në X.
BE-ja i kishte bërë thirrje në shtator Qeverisë në detyrë dhe institucioneve të tjera relevante të Kosovës të “përmbaheshin nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokalë serbë dhe partnerët ndërkombëtarë”.
Zyra e Presidentes pas takimit dypalësh njoftoi se presidentja Osmani ka shprehur pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit të Kosovës, tani kur ky institucion legjislativ është konstituuar.
Presidentja Osmani theksoi se reformat e suksesshme dhe përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dëshmi e qartë e përkushtimit të vendit ndaj integrimit evropian dhe në këtë kontekst, ajo ritheksoi rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke gjetur mënyra për thyerjen e bllokadës aktuale që ekziston në BE.
Në takim, presidentja Osmani po ashtu theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Evropian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024.
Duke folur për përpjekjet e Kosovës drejt përafrimit me BE-në, presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian në këtë proces mbetet thelbësore. Përveç kësaj, presidentja ngriti gjithashtu çështjen e rritjes së bashkëpunimit me BE-në për të mbështetur sektorin e shëndetësisë në Kosovë, si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, me ç’rast Osmani shprehu shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, të cilat i konsideroi si veprime destabilizuese që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.