PRESIDENTJA OSMANI BËN THIRRJE PËR FORMIMIN SA MË TË SHPEJTË TË QEVERISË SË RE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re, duke theksuar se vonesat po ndikojnë në procesin e reformave dhe vendimeve të rëndësishme për Kosovën, transmeton Anadolu.

Osmani në një prononcim për mediat tha se tashmë procesi i konstituimit të Kuvendit është mbyllur dhe mandatimi i partisë së parë fituese për formimin e qeverisë së re është bërë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Shpresoj shumë që do të kemi sa më parë Qeveri të Republikës së Kosovës me mandat të plotë kushtetues, sepse siç e dini qeveria në detyrë ka kompetenca të limituara sipas Ligjit për Qeverinë dhe kjo pastaj e pengon jo vetëm punën e qeverisë, por, shtetin në tërësi. Sa më parë që të kemi qeveri me mandat të plotë kushtetues aq më parë mund të shtyhen përpara reformat, të kemi një buxhet gjithëpërfshirës e cila e vendos shëndetin e qytetarëve tanë në radhë të parë”, tha Osmani.

Ajo tha se shpreson që partitë politike tek të cilat varet formimi i qeverisë së re do të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe qytetarët e Kosovës në përputhje me vullnetin e tyre të shprehur në zgjedhjet e fundit, do të kenë qeveri me mandat të plotë.

Më 11 tetor presidentja Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, nënshkroi Dekretin, me të cilin mandatoi kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila me 48 mandate ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti.

Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, Kurti, është i obliguar që jo më vonë se 15 ditë nga dita e dekretimit, apo deri më 26 tetor më së largu, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.

SHARE