Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Me 46 vota “për” dhe dy abstenime, Kuvendi në seancën e sotme në Cetinë ka miratuar sërish Ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme.
Ky ligj ishte kthyer më parë për rishqyrtim nga Presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq.
Millatoviq e kishte kthyer ligjin në Kuvend me arsyetimin se disa dispozita të tij janë në kundërshtim me Kushtetutën, krijojnë pasiguri ligjore dhe trajtim të pabarabartë për tatimpaguesit, veçanërisht për prodhuesit bujqësorë.
Kritika të forta janë bërë sidomos për nenin 12, paragrafi 3, i cili u lejon komunave të vendosin në mënyrë të pavarur për madhësinë e lehtësimeve tatimore, duke hapur mundësi për trajtim të pabarabartë të bujqve në komuna të ndryshme.
Pavarësisht kundërshtimeve, Kuvendi e votoi sërish ligjin, duke e detyruar presidentin që tani ta shpallë.