MILLATOVIQ DHE VON DER LEYEN: MALI I ZI GATI PËR MARRËVESHJEN E ANËTARËSIMIT ME BE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, priti Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj zyrtare në vend.

Takimi simbolik u zhvillua në majën e Lovqenit, ku të dy arritën me teleferikun Kotorr–Lovqen, duke përçuar një imazh të qartë të Malit të Zi si vend që ndërthur natyrën, historinë dhe të ardhmen evropiane.

Millatoviq theksoi se Mali i Zi është gati për hapin përfundimtar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ai kërkoi që të nisë sa më parë hartimi i Marrëveshjes së Anëtarësimit, duke theksuar se ky do të ishte një sinjal i qartë i përkushtimit të vërtetë të vendit ndaj vlerave evropiane.

“Evropa nuk është vetëm një ide – ajo është paga e sigurt, rrugët më të mira, drejtësia në kohë dhe shteti që i shërben qytetarit. Duam të dëshmojmë se angazhimin tonë e tregojmë me vepra, jo me fjalë”, u shpreh Presidenti Millatoviq.

Ai deklaroi se qëllimi i Malit të Zi është të përmbyllë negociatat me BE-në deri në vitin 2026 dhe të bëhet anëtare e plotë deri në vitin 2028, duke u shndërruar kështu në shembull të suksesit të politikës së zgjerimit të BE-së.

Në fokus të bisedimeve ishin reformat kyçe për anëtarësim: forcimi i institucioneve, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi i ekonomisë dhe garantimi i të drejtave të njeriut.

Millatoviq theksoi se pa institucione të forta dhe funksionale, nuk ka të ardhme evropiane, duke veçuar rëndësinë e një Gjykate Kushtetuese tërësisht funksionale.

Ai gjithashtu njoftoi se Mali i Zi do të presë Samitin BE–Ballkani Perëndimor në vitin 2026, që përkon me 20-vjetorin e pavarësisë së vendit një moment që, sipas tij, do të kurorëzojë përpjekjet reformuese të viteve të fundit.

Duke folur për vizitën, Millatoviq tha:

“Mali i Zi është më shumë se një vend i bukur – është një vend me njerëz të fortë dhe vlera të thella. Kjo bukuri është edhe përgjegjësi politike: të ndërtojmë një shtet që i ngjan pejzazhit të vet.”

Presidentja von der Leyen, nga ana e saj, shprehu mbështetje të qartë për rrugën evropiane të Malit të Zi, duke e cilësuar vendin si një nga kandidatët më të avancuar në procesin e zgjerimit të BE-së.

SHARE