Foto: Ilustrim
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave ka reaguar pas ndërprerjes së papritur të grumbullimit të qumështit të papërpunuar në Mal të Zi, duke theksuar se më herët nuk ka pasur informacion të saktë për datën e ndërprerjes dhe se do të ndërmarrë masa në përputhje me kompetencat e saj.
Ministria thekson se gjatë kontakteve të mëparshme me Shoqatën e Përpunuesve të Qumështit, nuk ka marrë asnjë informacion të saktë për datën e ndërprerjes së grumbullimit.
“Shoqata, përmes një letre drejtuar Ministrisë, kishte paralajmëruar për pamundësinë e vazhdimit të grumbullimit për shkak të krijimit të stokut të madh dhe vështirësive në plasimin e produkteve në treg, por nuk kishte përcaktuar saktësisht kur do të ndodhte ndërprerja. Nga mediat mësuam se ndërprerja ka ndodhur të shtunën, më 11 tetor, pa ndonjë njoftim apo paralajmërim paraprak për Ministrinë”, thuhet në njoftim.
Ata shtojnë se tregu i Malit të Zi është një treg i lirë, në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara, përfshirë edhe marrëveshjen CEFTA.
Ministria sqaron se nuk ka mekanizma për të ndaluar në mënyrë të rreptë hyrjen e produkteve të gatshme të qumështit në tregun vendas.
“Meqë situata është delikate për shkak të ndërprerjes së grumbullimit në disa pjesë të Malit të Zi, Ministria ka kontaktuar urgjentisht me përpunuesit më të mëdhenj të qumështit dhe ka kërkuar informacion të detajuar për situatën e re. Bazuar në të dhënat e marra nga përpunuesit dhe nga terreni, Ministria do ta analizojë situatën dhe, në përputhje me kompetencat e saj, do të ndërmarrë të gjitha masat për ta tejkaluar këtë problem”, përfundon njoftimi.










