Dy ditë pas riemërimit si kryeministër, Sébastien Lecornu ka prezantuar qeverinë e re të Francës. Ndër 34 anëtarët e kabinetit përfshihen edhe figura pak të njohura për publikun, sipas listës së publikuar nga Pallati Élysée.
Në postet e tyre vazhdojnë të mbeten:
- Ministri i Jashtëm, Jean-Noël Barrot,
- Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Roland Lescure,
- Ministrja e Kulturës, Rachida Dati,
- Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin.
Roland Lescure konsiderohet si një nga aleatët më të afërt të presidentit Emmanuel Macron.
Ministrja aktuale e Punës dhe Shëndetësisë, Catherine Vautrin, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërkohë, ministër i ri i Brendshëm është emëruar prefekti i policisë së Parisit, Laurent Nuñez, i cili do të zëvendësojë konservatorin Bruno Retailleau në këtë post. Para se të shpallte kabinetin e ri, Lecornu zhvilloi një takim konsultues me presidentin Macron në Pallatin Élysée. S
ipas një zëdhënësi të presidencës, buxheti për vitin 2026 duhet të paraqitet deri të mërkurën, në mënyrë që të respektohet afati kushtetues.
Lecornu përballet me detyrën sfiduese të uljes së deficitit të lartë buxhetor të Francës. Konservatorët kërkojnë shkurtim të shpenzimeve, ndërsa liberalët e majtë mbështesin vendosjen e një takse për miliarderët dhe pezullimin e reformës së diskutueshme të pensioneve të ndërmarrë nga Macron.
Lecornu, ndërkohë, nuk e ka përjashtuar mundësinë e një dorëheqjeje tjetër, në rast se buxheti nuk miratohet.
Kujtojmë se kabineti i tij i mëparshëm nuk arriti të qëndronte në detyrë më shumë se 14 orë.