Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të martën se po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.
Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.
Kurti e tha këtë gjatë një mbledhjeje të Qeverisë në detyrë, ku kabineti i tij ndau nga 100 euro për studentët e vendit për fillimin e vitit të ri akademik.
Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet e Kosovës dhe ta sanksionojë Serbinë për këtë.
Vuçiq tha për televizionin Pink në Serbi në fundjavë se “ne do t’i hapim 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë”.
“Kjo është diçka shumë e madhe për Kosovën, dhe ne do ta bëjmë këtë brenda dhjetë ditëve të ardhshme, në mënyrë që njerëzit ta dinë se ne do të kujdesemi gjithmonë për të”, tha Vuçiq.