Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka bërë thirrje për unitet, duke paralajmëruar se kundërshtarët e BE-së janë “të gatshëm të shfrytëzojnë dhe të nxisin përçarjet”.
Duke iu drejtuar seancës plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, Ursula von der Leyen riafirmoi angazhimin e saj për të punuar me të gjithë “për të ruajtur unitetin”.
Presidentja e Komisionit vuri në dukje se “qëllimi i këtij uniteti nuk është domosdoshmërisht të biem dakord për çdo detaj”, por të ruajmë “pamjen e përgjithshme” dhe “të bashkohemi rreth asaj që kemi të përbashkët për t’u ofruar europianëve në këtë botë të rrezikshme”.
Ajo vazhdoi duke thënë se “kundërshtarët tanë jo vetëm që janë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo përçarje, por edhe t’i nxisin ato”.
Von der Leyen vijoi: “Mesazhi më i fortë që mund të dërgojmë është ai i unitetit. Kjo është ajo në të cilën duhet të përqendrohemi. Dhe kjo është ajo në të cilën unë, dhe i gjithë Kolegji i Komisionerëve këtu pas meje, duam të punojmë me Parlamentin Europian.”
Duke vazhduar, von der Leyen u bëri thirrje eurodeputetëve të mos bien në “kurthin” e ngritur nga Presidenti rus Putin.
Siç tha ajo, përpjekjet e Presidentit rus bazohen në një “mashtrim të vjetër” të mbjelljes së mosmarrëveshjeve, përhapjes së dezinformatave, kthimit të evropianëve kundër njëri-tjetrit.
“Ky është një kurth dhe ne thjesht nuk mund të biem në të”, tha ajo.
Presidentja e Komisionit pranoi se shqetësimet e shprehura nga një numër eurodeputetësh, qoftë për Gazën, Ukrainën, apo tregtinë dhe Shtetet e Bashkuara, janë “legjitime” dhe “të vërteta”, ndërsa pranoi se lista e çështjeve shqetësuese është e gjatë.