GJERMANIA E PRANON PËR HERË TË PARË: LUFTË HIBRIDE, PAS SULMIT ME DRONË, QËNDRON RUSIA

Kancelari gjerman Friedrich Merz e pohoi për herë të parë hapur se supozon që pas ndërhyrjes së “dronëve zbulues”, të cilët shkaktuan kaos në aeroportin e Mynihut dhe lanë mbi 10,000 pasagjerë të bllokuar këtë fundjavë, qëndron Rusia. Merz foli për një luftë të mirëfilltë hibride ndaj vendit të tij e shtoi se frekuenca e shkeljeve të hapësirës ajrore të Europës ishte e pashembullt edhe në krahasim me kohën e Luftës së Ftohtë. Dronët përgjegjës për ndërhyrjet kanë qenë me misione zbulimi. Supozimi ynë është se pas shumicës së këtyre fluturimeve, qëndron Rusia. Aeroporti i Mynihut, një nga më të mëdhenjtë e Gjermanisë, u detyrua të anulonte fluturimet vonë të enjten dhe të premten, përpara se të rihapej nga ora 7:00 e mëngjesit të shtunën. Ndërprerja, e cila shkaktoi anullim apo vonesa të 46 nisjeve nga ky aeroport, ndodhi në një kohë kur Gjermania kremtonte festën e saj kombëtarë të Ditës së Unitetit Gjerman, ndërsa Mynihu vetë përgatitej për fundjavën e fundit të Oktoberfest, e cila tërheq më shumë se gjashtë milionë njerëz në qytet çdo vit. Kancelari gjerman e akuzoi Vladimir Putinin, se po zhvillon një “luftë hibride” ndaj vendit të tij. Ai po zhvillon një luftë informacioni ndaj nesh. Putini po zhvillon një luftë ushtarake kundër Ukrainës dhe kjo luftë është e drejtuar ndaj të gjithë nesh. Sipas liderit gjerman, presidenti rus po synon përmbysjen e rendit politik të Europës, e tha se lufta hibride tashmë ka nisur kundër të gjithëve.

SHARE