Foto: predsjednik.me
Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, përshëndeti përpjekjet diplomatike ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin e thellë për situatën humanitare në Gazë, duke bërë apel për një armëpushim të menjëhershëm.
Millatoviq dënoi sulmin terrorist të 7 tetorit dhe kërkoi lirimin pa kushte të pengjeve. Mali i Zi mbështet zgjidhjen me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së.
Në fjalimin e tij, presidenti theksoi rëndësinë e Kombeve të Bashkuara si institucion kryesor global për paqen dhe sigurinë, duke kërkuar reforma që do ta bëjnë organizatën më efikase dhe më të gatshme për sfidat e sotme.
Ai kritikoi paralizën e Këshillit të Sigurimit, veçanërisht për rastin e luftës në Ukrainë.
Mali i Zi që nga rivendosja e pavarësisë në 2006, është një partner i fortë i OKB-së, i angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe qeverisjen e mirë, me synimin për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.
Anëtarësimi në NATO mbetet baza kryesore e sigurisë së vendit.
Presidenti Millatoviq gjithashtu nënvizoi përkushtimin e Malit të Zi ndaj mbrojtjes së mjedisit, si vendi i parë ekologjik në botë, dhe nevojën për veprime urgjente globale ndaj ndryshimeve klimatike.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e barazisë gjinore dhe respektit për të drejtat e njeriut.
Në përfundim, Millatoviq bëri thirrje për dialog dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke e cilësuar Kombeve të Bashkuara si themelin e paqes dhe bashkëjetesës globale.
Ai u zotua se Mali i Zi do të vazhdojë të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të punojë për një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme për të gjithë.