Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë thirrje që Kosova të mbështetet në synimet te saj për t’u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të mërkurën vonë.
“Kontributi i saj [Kosovës] për bashkëpunim rajonal dhe më të gjerë është i pamohueshëm, dhe, prapëseprapë, ulësja e Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht e zbrazët”, tha Begaj gjatë fjalimit të tij.
Ai tha se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja për anëtarësimin e saj në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare “është akt drejtësie” dhe hap drejt konsolidimit të paqes në Ballkanin Perëndimor.
“Shtatëmbëdhjetë vjet pasi e shpalli pavarësinë, Kosova ka dëshmuar përmes veprimeve të saj se është anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare, e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit dhe vlerave demokratike, me institucione të fuqishme”, shtoi Begaj.
Qëkurse e shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008, Kosova është njohur nga 119 shtete, shumica dërrmuese e tyre anëtare të OKB-së.
Ndërkohë, Begaj foli edhe në mbështetje të Ukrainës në përpjekjet e saj për ta luftuar pushtimin nga Rusia.
Ai tha se “për gati katër vjet, besueshmëria e organizatës sonë është vënë në provë nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës”.
Begaj i dënoi shkeljet e Moskës ndaj Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, duke shprehur mbështetje për përpjekjet diplomatike që synojnë paqen.
Duke theksuar se Shqipëria është “më afër se kurrë” për të realizuar ëndrrën e saj të hershme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, ai tha se synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e bllokut deri në vitin 2030.
Shqipëria këtë muaj i hapi edhe disa kapituj në bisedimet për anëtarësim në BE, duke e çuar në 28 nga 33 gjithsej numrin e kapitujve të hapur.