Nënpresidenti amerikan, JD Vance, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i kanë bërë jehonë qasjes së re, më të ashpër, të presidentit Donald Trump kundër Rusisë, duke e akuzuar Moskën se nuk po bën mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i ndalur vrasjet në Ukrainë.
Të mërkurën mbrëma, Vance tha se Trumpi “mendon se ata nuk po bëjnë mjaftueshëm në tavolinën e bisedime për t’i dhënë fund luftës… Nëse rusët nuk pranojnë të bisedojnë me mirëbesim, mendoj se do të jetë shumë, shumë keq për vendin e tyre”.
Ndërkohë, Rubio u takua me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku përsëriti thirrjen e Trumpit “për t’i dhënë fund vrasjeve dhe nevojën që Moska të ndërmarrë hapa domethënës drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme të luftës Rusi-Ukrainë”.
Lavrovi u përgjigj duke thënë se ka “interes të përbashkët për të gjetur zgjidhje paqësore” për luftën në Ukrainë.
Por, ai përsëriti nevojën e Moskës për t’i “eliminuar shkaqet rrënjësore të konfliktit ukrainas”.
Kjo është gjuha e Kremlinit për të vendosur kufizime mbi fuqinë ushtarake të Ukrainës dhe një zotim që ajo të mos i bashkohet NATO-s. Këto janë vetëm disa nga kërkesat e shumta historike të Moskës, shumica e të cilave janë të papranueshme për Kievin dhe Perëndimin.
Ndërkohë, në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e hodhi poshtë pretendimin se Ukraina mund ta rimarrë të gjithë tokën e saj të pushtuar, duke thënë se “ideja se Ukraina mund të rikthejë diçka është, sipas pikëpamjes sonë, e gabuar”.
Qëndrimi i ri i administratës amerikane vjen pasi Trumpi, duke bërë kthesë të papritur, tha më 23 shtator në rrjetet sociale se Ukraina mund ta rimarrë të gjithë tokën e pushtuar nga Rusia me ndihmën e mbështetësve të saj evropianë.
Rusia kontrollon rreth një të pestën e tokës së Ukrainës, përfshirë gadishullin e Detit të Zi, Krimenë, e cila u aneksua në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.
Në të kaluarën, Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë lënë të kuptohet se Ukraina do të duhet t’i japë pjesë të tokës së vet Rusisë në marrëveshje për paqe.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe vendi i tij “janë në telashe të mëdha ekonomike”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.