Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, sot hapi Konferencën Rajonale të Ministrave për kapacitetet e administratës publike në integrimin në BE.
“Qytetarët e Malit të Zi kanë zgjedhur qartë të ardhmen e tyre. Kjo e ardhme është në Bashkimin Evropian. Në këtë rrugë, administrata publike është motor i ndryshimeve, sepse nga ajo varet krijimi i politikave publike dhe zbatimi i tyre efektiv. Administrata jonë mund të përgjigjet ndaj sfidave më të vështira, pasi kemi treguar vendosmëri për të ecur përpara. Marrja e IBAR-it, mbyllja e kapitujve 5, 7, 10 dhe 20 janë rezultatet tona konkrete,” tha ministri Dukaj.
Ai theksoi se fokusi është në përmirësimin e kompetencave për të gjithë punonjësit civilë.
Gjithashtu, theksoi nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor për profesionalizimin e mëtejshëm, mobilitetin e brendshëm të punonjësve brenda sistemit, si dhe miratimin e Planit për forcimin e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe politikave sociale, të cilat janë disa nga masat e kësaj qeverie, të mbështetura nga BE-ja.
“Kjo është era që na fryn në velat tona drejt hapësirës evropiane administrative,” tha Dukaj.
Dukaj gjithashtu mori pjesë në tryezën ministeriale me temën “Ndërtimi i kapaciteteve të administratës publike për integrimin në BE – sfidat dhe zhvillimi ipërbashkët.”
“Forcimi i kapaciteteve administrative të administratës publike është një nga sfidat kryesore në rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përparimi në këtë fushë ka prioritet përmirësimin e kuadrit ligjor. Miratimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për punonjësit dhe zyrtarët shtetëror kërkoi njohuri, kohë dhe durim. Në përputhje me rekomandimet e raportit të mëparshëm të Komisionit Evropian, si dhe me mendimin e Komisionit Evropian mbi ndryshimet e propozuara ligjore, Ministria e Administratës Publike ka përgatitur Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit të përmendur, i cili u miratua në Kuvend në korrik 2025,” tha ministri i Administratës Publike.
Ai theksoi se ndryshimet janë fokusuar në tre parime kyçe: profesionalizim, depolitizim dhe meritokraci në administratën shtetërore.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar përmirësimit të procedurës së punësimit, përcaktimit më të saktë të rolit të ushtruesve të detyrës, statusit të inspektorëve, si dhe punës së Komisionit Disiplinor dhe Komisionit të Ankesave.
“Përveç kësaj, forcohet institucioni i mobilitetit dhe zhvillohet tregu i brendshëm i punës brenda administratës. Të gjitha këto ndryshime synojnë krijimin e një administrate që mund të përgjigjet në mënyrë adekuate ndaj nevojave të qytetarëve dhe sfidave të shoqërisë moderne,” tha Dukaj, thuhet në njoftim.









