Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, tha se Brukseli po pret formimin e një qeverie të re në Prishtinë në mënyrë që të angazhohet më shumë me Kosovën sa i përket dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.
Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kos përsëriti qëndrimin e bllokut evropian se normalizimi i raporteve është kusht për Kosovën dhe Serbinë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Dhe ne po punojmë për këtë, në veçanti edhe me përfaqësuesen tonë të lartë, Kaja Kallas. Ne jemi vazhdimisht të angazhuar me Serbinë për këtë çështje, ndërsa me Kosovën më pak muajt e fundit, sepse jemi ende në pritje të formimit të një qeverie të re. Por, kjo mbetet një nga prioritetet në gjithë procesin e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor”, tha Kos në intervistën dhënë në Sarajevë.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e Brukselit që nga viti 2011. Procesi fillimisht nisi në nivel teknik dhe më pas palët u angazhuan edhe në dialog në nivelin politik.
Gjatë procesit palët kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.
Që nga zgjedhjet e mbajtura në shkurt, Kosova ende nuk ka formuar një ekzekutiv të ri. Edhe gjatë kësaj periudhe, kur Kosova po udhëhiqet nga një Qeveri në detyrë, në Bruksel janë mbajtur runde bisedimesh në nivel të kryenegociatorëve. I fundit u mbajt më 11 shtator – takim që nuk prodhoi asnjë rezultat.