Përveç sulmeve ajrore, zhvendosjes dhe uri, Gaza po përballet me një krizë të rëndë uji që po thellohet me kalimin e kohës, duke rënduar edhe më shumë kushtet e jetesës për banorët e këtij territori palestinez.
Përpara konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, më shumë se 80% e infrastrukturës ujore në Gaza ishte dëmtuar. Tani, furnizimi me ujë është minimal dhe shpesh i papërshtatshëm për konsum.
Kamionët me ujë dhe organizatat humanitare arrijnë të ndihmojnë disa prej banorëve, por kjo mbetet larg për të përmbushur nevojat e të gjithë popullsisë.
Izraeli ka lidhur disa tubacione uji me kompaninë e tij Mekorot në veri të Gazës, por problemi mbetet i madh pasi rrjeti i shpërndarjes është i dëmtuar rëndë nga lufta dhe uji nuk rrjedh si duhet në rubinetat e banorëve.
Puset e ujit janë shumë të dëmtuara, disa janë të ndotura nga ujërat e zeza, e disa të tjera janë të paarritshme për shkak të zonave aktive të konfliktit apo pranisë së forcave ushtarake izraelite.
Gjithashtu, për shkak të ndërprerjes së energjisë nga Izraeli, pompimi i ujit është i vështirë, pasi spitalet marrin përparësi në përdorimin e karburantit për gjeneratorët.
Shumë impiante desalinizimi janë jashtë funksionit, përveç një impianti që u rihap javën e kaluar me rikthimin e energjisë elektrike.