LIDERË TË LARTË UKRAINAS, EVROPIANË DHE AMERIKANË TAKOHEN NË PARIS

Foto: BoldNews.al

Zyrtarë të lartë nga vende të rëndësishme evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë mbledhur në Paris të enjten, disa ditë pas bisedimeve të drejtpërdrejta midis Uashingtonit dhe Moskës, të cilat synojnë t’i japin fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Kjo është hera e parë që do të zhvillohen takime ballë për ballë midis liderëve të lartë evropianë dhe ukrainas dhe të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, pas takimit të tij më të fundit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, javën e kaluar.

Moska nuk ka pranuar ta nënshkruajë një marrëveshje të gjerë armëpushimi, e cila u propozua nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Ukraina e ka pranuar atë tashmë. Rusia ka thënë se çdo marrëveshje është e kushtëzuar me ndalimin e përpjekjeve për mobilizim nga Kievi, si dhe me ndërprerjen e furnizimit të Ukrainës me armë nga Perëndimi.

Këto kërkesa janë hedhur poshtë nga Ukraina.

Derisa bisedimet filluan, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se teksa Uashingtoni po punon për paqen, “nga evropianët ne shohim një përqendrim në vazhdimin e luftës”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje pjesëmarrësve në bisedimet në Paris që të ushtrojnë trysni ndaj Rusisë për ta pranuar armëpushimin.

“Rusia e përdor çdo ditë dhe çdo natë për të vrarë. Ne duhet të ushtrojmë trysni mbi vrasësit… për ta përfunduar këtë luftë dhe për të garantuar paqe të qëndrueshme”, tha Zelensky në një postim në Telegram.

Në prag të mbërritjes së Rubios të enjten, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se qëllimi i bisedimeve ishte “ta çojnë përpara synimin e presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe për të ndalur gjakderdhjen”.

Ndërsa Uashingtoni është përpjekur t’i shtyjë përpara bisedimet për armëpushim midis Kievit dhe Moskës, vendet evropiane janë fokusuar në mbështetjen e Ukrainës dhe në planifikimin e një misioni të mundshëm ushtarak për ta forcuar çfarëdo marrëveshje armëpushimi.

SHARE