DUKAJ: ORGANET ZGJEDHORE KOMUNALE NUK JANË TË RREGULLUARA SIÇ DUHET

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj foli sot në pjesën hyrëse të konferencës “Reforma Zgjedhore në Mal të Zi: Si ta bëjmë procesin zgjedhor funksional?”, organizuar nga Qendra për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI), duke thënë se zgjedhjet lokale mbartin shumë sfida, të vërtetuara nga rastet specifike në komunat e Shavnikut dhe Kotorrit.

“Konferenca e sotme “Reforma Zgjedhore në Mal të Zi: Si ta bëjmë procesin zgjedhor funksional?” është e një rëndësie thelbësore për progresin demokratik të Malit të Zi dhe ka të bëjë jo vetëm me zhvillimin e mëtejshëm demokratik të Malit të Zi, por edhe me përmbushjen e obligimeve në rrugën evropiane të vendit tonë – në interes të të gjithë qytetarëve të tij”, tha Dukaj.

Ministri theksoi se edhe Ministria e Administratës Publike, si ministri e linjës për sistemin e vetëqeverisjes lokale, po monitoron me vëmendje të veçantë zgjedhjet lokale.

“Duke analizuar sistemin ekzistues, kemi vërejtur se zgjedhjet lokale paraqesin shumë sfida, gjë që konfirmohet nga rastet specifike në komunat e Shavnikut dhe Kotorrit. Në lidhje me këtë ne disa herë e kemi tërhequr vëmendjen dhe nëse nuk reagojmë shpejt si sistem, këto raste do të përsëriten edhe në komunat tjera”, tha Dukaj.

Ai theksoi se kemi procedura të pamjaftueshme ligjore, zgjedhje të papërshtatshme të kryetarit, shpeshtësi të zgjedhjeve lokale – të rregullta dhe të jashtëzakonshme, dhe organet zgjedhore komunale nuk janë të rregulluara si duhet dhe shtohet se të gjitha këto, si dhe çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë së vendvotimeve, tregojnë nevojën për zgjidhje urgjente dhe sistematike.

“Qëndrimi ynë është i qartë – pushteti vendor kërkon një sistem zgjedhor të bazuar në lista të hapura, zgjedhje të drejtpërdrejtë të kryetarit dhe mbajtjen e të gjitha zgjedhjeve lokale në një ditë. Në maj të vitit të kaluar ne kemi dërguar iniciativa shumë specifike në Parlamentin e Malit të Zi, që presim të jetë pjesë e reformës zgjedhore. Ne besojmë se reformat kyçe duhet të nisin në nivel lokal, sepse ajo është qeveria më e afërt me qytetarët. Përveç kësaj, Mali i Zi nuk është në Podgoricë, as Mali i Zi nuk është vetëm një qeveri qendrore – nuk ka Mal të Zi pa një kornizë kolektive dhe të rregulluar që fillon nga niveli lokal dhe komunal”, tha Dukaj.

Ai tha se Ministria e Administratës Publike, në bashkëpunim me sektorin joqeveritar dhe komunitetin profesional dhe akademik, do të kontribuojë në mënyrë aktive në procesin e reformimit të sistemit zgjedhor në nivel vendor, duke ofruar propozime konkrete dhe të justifikuara shumë shpejt.

“Vetëm një sistem zgjedhor i qëndrueshëm dhe i drejtë mund të jetë themeli i institucioneve të forta demokratike, për të cilin synojmë të gjithë”, ka theksuar ministri Dukaj.

SHARE