NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR BASHKËPUNIM NDËRMJET MALIT TË ZI DHE FRANCËS: PËRMIRËSIMI I BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E ADMINISTRATËS PUBLIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, së bashku me ministrin e Republikës së Francës të deleguar për Evropën, Benjamin Haddada nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim ndërmjet Malit të Zi dhe Francës: Përmirësimi i bashkëpunimit në fushën e administratës publike.  

“Mali i Zi është i përkushtuar për zbatimin e reformave që do të transformojnë dhe modernizojnë administratën tonë publike. Jemi të vetëdijshëm se ky është një proces i vazhdueshëm, por besoj se me hapa konkretë dhe me ndihmën e partnerëve tanë francezë do të arrijmë rezultate të rëndësishme. Franca ka qenë një partner kyç i Malit të Zi në shumë raste, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes digjitale. Bashkëpunimi i viteve të fundit, veçanërisht në kuadër të luftimit të kërcënimeve kibernetike, ka treguar se sa e rëndësishme është puna dhe mbështetja jonë e përbashkët”, tha ministri Dukaj.

Ministri Dukaj theksoi se marrëveshja e nënshkruar sot është rezultat i vizitës së vitit të kaluar të delegacionit malazez në Paris, kur kanë përcaktuar aspektet kyçe të bashkëpunimit dhe mbështetjes në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

„Nëpërmjet përmirësimit të bashkëpunimit në fushën e administratës publike, shkëmbimit të praktikave të mira, forcimit të kapaciteteve administrative, dhe zbatimit të parimeve evropiane të administratës publike, me theks të veçantë në kontekstin e integrimit evropian, ne fokusohemi në transformimin e administratës publike, veçanërisht në fushën e sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit,“ theksoi ministri Dukaj.

“Marrëveshja e bashkëpunimit nuk është vetëm një formalitet – ajo përfaqëson përkushtimin tonë për reforma që do të përmirësojnë sektorin tonë administrativ dhe do të kontribuojnë në stabilitetin e sistemit dhe zhvillimin e shoqërisë sonë”, tha Dukaj.

SHARE