Foto: Reuters
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian nuk e kanë detyruar Qeverinë e Kosovës të ndryshojë kursin e saj, por kanë pasur ndikim në mirëqenien e qytetarëve, shkruan në një analizë Radio Evropa e Lirë.
Njëzet muaj pas ngrirjes së fondeve për Kosovën dhe pezullimit të vizitave të nivelit të lartë, Bashkimi Evropian vazhdon të refuzojë heqjen e këtyre masave, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Prishtinës, por edhe të Parlamentit Evropian.
Një zëdhënës i bllokut, ka deklaruar për REL, se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri”.
Bashkimi Eurpian ende nuk ka bërë te ditur se cilat projekte konkretisht janë prekur nga pezullimi i fondeve për Kosovën. Sipas REL, ato variojnë nga kultura deri tek infrastruktura dhe se vlera e tyre arrin deri në 100 milionë euro.
Sipas analistëve në Kosovë, masat ndëshkuese nuk kanë pasur ndikim në sjelljen e institucioneve të Kosovës, por janë “fatkeqësi” me pasoja afatgjate.
Një tjetër analist është shprehur se vendimet në BE merren me konsensusin e të 27 vendeve anëtare dhe thotë se Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm diplomatik për të negociuar heqjen e masave.
BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të kryeministrit Albin Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.
Pavarësisht masave, Kurti nuk u zmbraps, hoqi nga përdorimi dinarin serb, mbylli shumicën e institucioneve të Serbisë dhe e mbrojti këtë politikë si shtrirje të autoritetit.