RREZIKU SHËNDETËSOR PËR SHKAK TË SJELLES SË PAPËRGJEGJSHME

Ne jemi në prag të zhdukjes së virusit korona në Mal të Zi, por veprime të tilla neglizhente e vënë në pikëpyetje gjithçka që është bërë deri më tani, tha Ministri i Jashtëm Srgjan Darmanoviq në një konferencë me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s si dhe kreun e Delegacionit të BE në Podgoricë.

Sipas Ministrisë së Jashtme, Darmanoviq e informoi trupin diplomatik për situatën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, pranimin e metodologjisë së re në negociatat me BE-në dhe për ngjarjet aktuale që lidhen me protestat në disa qytete në Mal të Zi.

Kreu i diplomacisë malazeze tha se institucionet e Malit të Zi kanë kaluar me sukses provimin sfidues dhe se kanë treguar koherencë në procedurat e tyre, duke parandaluar kështu përhapjen e koronavirusit.

Ministri falënderoi ambasadorët për humanizmin e tyre, solidaritetin, si dhe për dhurimet e vlefshme të bëra nga vendet e tyre në Mal të Zi.

Lidhur me ngjarjet aktuale dhe shkeljet masive të masave të TKK, Ministri theksoi se shumica e qytetarëve malazez, të cilët sillen me përgjegjësi dhe respektojnë masat e përcaktuara, nuk janë të detyruar të vuajnë dhe të ekspozohen ndaj një rreziku serioz shëndetësor për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestës.

Në takim u shkëmbyen mendime për hapat e mëtutjeshëm në luftën kundër koronavirusit, lehtësimin e masave, hapjen e kufijve dhe trafikun turistik, si dhe forcimin e bashkëpunimit në tejkalimin e vështirësive ekonomike të shkaktuara nga koronavirus, theksuan nga Ministria e Punëve të Jashtme.

SHARE