Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë sërish nga tensionet ditën e sotme, pasi deputetët e opozitës të përjashtuar nga punimet e parlamentit janë përplasur me punonjësit e Gardës, raporton Anadolu.
Tensionet janë rikthyer përsëri në Kuvendin e Shqipërisë për çështjen e dënimit me një vit burg të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.
Tensionet e sotme nisën para fillimit të seancës në ambientet e jashtme të sallës së seancave plenare të Kuvendit, ku deputetët e Partisë Demokratike të përjashtuar për të marrë pjesë në seancë për shkak të tensioneve në seancën e kaluar u përplasën me punonjësit e Gardës së Shqipërisë.
Punonjësit e Gardës së Shqipërisë nuk kanë lejuar deputetët e opozitës të përjashtuar që të hyjnë në seancën plenare, ku më pas kanë vijuar tensionet.
Deputetët e opozitës gjithashtu kanë penguar fillimisht në disa hyrje edhe disa nga ministrat dhe deputetët e partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, që të hyjnë në ambientet e brendshme të sallës së seancave plenare.
Gjatë tensioneve jashtë, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dogjën disa manekinë, duke shkaktuar edhe zjarr.
Ndërkohë, pavarësisht tensioneve në ambientet e jashtme, seanca plenare e planifikuar për sot u mbajt me pjesëmarrjen e deputetëve të Partisë Socialiste, duke zgjatur rreth 28 minuta.
Kuvendi i Shqipërisë më 30 shtator u përfshi nga tensionet në seancën parlamentare, ku deputetët e opozitës pas përplasjeve dhe tensioneve brenda sallës së seancës dogjën edhe karriget e tyre në ambientet e jashtme të parlamentit.