Në Rripin e Gazës së bllokuar janë shkatërruar pjesërisht ose plotësisht 93 për qind e ndërtesave të shkollave si pasojë e bombardimeve të pandërprera tashmë për një vit nga Izraeli.
Zyra për media e qeverisë në Gaza njoftoi se institucionet arsimore në Gaza, të cilat janë kthyer në qendra strehimi si pasojë e shpërnguljes së detyruar të palestinezëve, janë vazhdimisht në shënjestër të Izraelit.
Duke u bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit dhe Trajnimit, zyra për media theksoi se 93 për qind e ndërtesave shkollore u shkatërruan plotësisht ose pjesërisht gjatë gjenocidit 1-vjeçar të Izraelit ndaj Rripit të Gazës.
“Shumica e qendrave të ndryshme të arsimimit, praktikës, prodhimit dhe rehabilitimit u shkatërruan”, theksohet në njoftim.
Më tej, thuhet se si rezultat i sulmeve izraelite në Gaza jetën e kanë humbur më shumë se 11.600 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, si dhe janë masakruar më shumë se 1.100 studentë universitar, 750 mësues e punonjës të arsimit dhe 130 akademikë.
Sipas të dhënave nga autoritetet palestineze, para 7 tetorit të vitit 2023 në Rripin e Gazës kishte 17 universitete dhe kolegje të komunitetit, si dhe 796 shkolla ku edukoheshin 800 mijë studentë. Ushtria izraelite me sulmet e saj shkatërroi plotësisht më shumë se 130 nga këto shkolla.
Derisa në Bregun Perëndimor më 9 shtator u hapën shkollat, nxënësit palestinezë në Gaza nuk mundën të fillojnë arsimin për të dytin vit radhazi.
Një zyrtar i Njësisë së Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Arsimit Kombëtar në Gaza, Ahmed en-Najcar, nga ana e tij, bëri të ditur se gjashtë universitete në Gaza u shkatërruan plotësisht në sulmet izraelite, respektivisht Universiteti Islamik i Gazës, Universiteti Israa, Universiteti al-Rabat, Universiteti al-Azhar, Universiteti al-Aksa dhe Universiteti i Hapur i Kudsit.