Nga ora 11:00 është aktiv softueri për kontrollimin e të dhënave nga regjistrimi dhe qytetarët mund t’i kontrollojnë të dhënat vetëm nëse e kanë ruajtur një kopje të regjistrimit, tha drejtori i Drejtorisë së Statistikave, Mirosllav Pejoviq.
Ai theksoi se 98 për qind e të dhënave nga regjistrimi përputhen me të dhënat e MPB-së dhe se dy për qind të tjera, pra të dhënat e 18 mijë qytetarëve, duhet të kontrollohen manualisht.
Pejoviq tha në seancën e Komisionit për Monitorimin e Regjistrimit se Monstat nuk po vonohet me të dhënat.
“Ju votuat zgjidhjet ligjore dhe ne i respektuam ato zgjidhje ligjore që u votuan dhe brenda të cilave kishte edhe softuer të veçantë, i cili duhej të kalonte me tender. Monstat nuk mund të fajësohet për dështimin e tenderit”, tha ai.
Pejoviq theksoi se gjithçka është respektuar në përputhje me ligjin dhe pas futjes së të dhënave janë bërë kontrolle të shumta të të dhënave dhe kontrolle statistiko-logjike.
“Aplikacioni është i disponueshëm në disa gjuhë dhe udhëzimet gjenden në vetë aplikacionin”, shpjegoi drejtori i Monstat.
Qytetarët e Malit të Zi mund t’i kontrollojnë nga sot deri më 7 tetor të dhënat e tyre për karakteristikat etnike dhe kulturore të mbledhura nga Regjistrimi i Popullsisë, Amëvisërive dhe Banesave, i cili u krye në fund të vitit të kaluar.
Softueri mund të aksesohet përmes lidhjes: https://popis2023.monstat.org/