Foto: Shutterstock
Ministria e Energjisë dhe Minierave ka njoftuar se nga sot janë rritur çmimet e të gjitha llojeve të karburanteve në Mal të Zi.
Çmimi i Eurosuper 98 do të jetë 1,78 euro për litër, dy centë më shumë se deri tani, ndërsa Eurosuper 95 do të kushtojë 1,74 euro, po ashtu me rritje prej dy centësh.
Një rritje më e madhe do të ketë te Eurodizeli, i cili do të kushtojë 1,95 euro për litër, ose pesë centë më shumë.
Ndërkohë, nafta për ngrohje do të shtrenjtohet me nëntë centë dhe do të kushtojë 2,07 euro për litër.
Nga Ministria kanë bërë të ditur se çmimet e reja janë llogaritur në përputhje me vendimin e Qeverisë për uljen e akcizës për benzinën dhe naftën, sipas të cilit akciza për benzinën është ulur me 30 për qind, ndërsa për dizelin me 40 për qind.
Këto çmime do të jenë në fuqi deri më 28 shtator, ndërsa llogaritja e radhës do të bëhet po atë ditë. Çmimet e reja do të vlejnë nga 29 shtatori.









