MILLATOVIQ: NACIONALIZMI DHE POPULIZMI PO NA LARGOJNË NGA BE-ja

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka biseduar me rektoren e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini dhe studentët e kampusit të sapohapur të atij kolegji në Tiranë, dhe me atë rast ka theksuar se në rrugën evropiane, rajoni dhe Mali i Zi po përballen me sfida të shumta, dhe se për momentin ato janë nacionalizmi dhe populizmi, të cilat na largojnë nga Bashkimi Evropian.

“Për shkak të gjithçkaje që kemi arritur deri më tani, nuk duhet të lejojmë që politikat e papërgjegjshme dhe të pamjaftueshme transparente, siç po shohim në Malin e Zi në periudhën e fundit, si dhe forcimi i nacionalizmit që përçan shoqërinë, të na largojnë nga qëllimi primar – që është anëtarësimi në BE deri në vitin 2028”, ka thënë Millatoviq.

Ai tha se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor, se Mali i Zi ka përparësi të shumta në krahasim me vendet e tjera kandidate dhe se anëtarësimi në BE do të ishte një sinjal pozitiv se procesi i zgjerimit është ende gjallë.

Ai paralajmëroi se përparimi demokratik nuk mund të merret si i mirëqenë.

“Nacionalizmi minon idenë e Evropës dhe kërcënon karakterin civil të shoqërisë sonë dhe unë besoj se Mali i Zi është një shtet vërtet civil, që është vlera e tij e madhe. Prandaj jam shumë kundër tij, në anën e shoqërisë civile – dhe kjo është politika ime e qartë”, ka thënë Millatoviq, sipas Zyrës për Marrëdhënie me Publikun e Presidentit.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për rektoren Mogherini për angazhimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ju jam mirënjohës për angazhimin tuaj të vazhdueshëm në thellimin e mirëkuptimit të BE-së, duke respektuar dhe ruajtur vlerat dhe parimet e saj bazë. Kolegji i sapohapur do të jetë një urë e rëndësishme ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke promovuar njohuritë dhe lidershipin në studimet evropiane”, tha Millatoviq.

SHARE