Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës e ka shpallur jokushtetuese një Ligj Zgjedhor paralel të Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnjës.
Në një vendim të enjten, Gjykata Kushtetuese deklaroi se ligji i kontestuar nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës e as me Ligjin Zgjedhor të saj, për shkak se kështu ligji i Republikës Sërpska do t’i merrte përsipër kompetencat që i takojnë vetëm ligjit në fjalë të Bosnjës.
Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi Ligjin Zgjedhor të Republikës Sërpska dhe erdhi në përfundim se nuk ka dispozita kushtetuese në bazë të të cilave mund të vërtetohet kushtetutshmëria e ligjit të kontestuar që u miratua nga Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska në fillim të këtij viti.
Në shpjegimin e vendimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se bëhet fjalë për “çështje shumë serioze dhe komplekse të kushtetutshmërisë së ligjit të kontestuar zgjedhor të Republikës Sërpska”.
Ligji Zgjedhor i Republikës Sërpska parashikonte përvetësimin e kompetencave shtetërore të subjekteve në fushën e zgjedhjeve.
Ambasada amerikane në Sarajevë e kishte quajtur antikushtetues dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit krijimi i një sistemi zgjedhor paralel nga Qeveria e Republikës Sërpska.