Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq tha se ka pasur një bisedë cilësore me presidentin Jakov Millatoviq lidhur me emërimin e ambasadorëve dhe se kanë njohur disa hapa që duhet të ndërmerren.
“I rikujtoj të gjithë përgjegjësve se duhet të sillemi në mënyrë shtetërore kur bëhet fjalë për misionet konsullore diplomatike dhe se duhet t’i plotësojmë ato sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Ibrahimoviq.
Ai theksoi se në kohën kur rruga e integrimeve evropiane është intensifikuar, është shumë e rëndësishme që të ketë ambasadorë në vendet e BE-së.
“Shpresoj që në periudhën e ardhshme të gjejmë një fjalë të përbashkët. I theksova presidentit se duhet të respektohet statuti, Kushtetuta dhe Ligji i shtetit. Shpresoj se do të gjejmë dhe do t’i hapim rrugën ambasadorëve të ardhshëm”, tha ai.
Ai theksoi se është e rëndësishme që këta të jenë njerëzit sa më cilësor.
“Do të bëj gjithçka që të jetë e mundur që kandidatët për misionet diplomatike dhe konsullore të jenë më cilësorët, më të mirët”, tha Ibrahimoviq.