HASANI: SIGURIA DHE STABILITETI NË BALLKANIN PERËNDIMOR JANË TË NJË RËNDËSIE KRITIKE

Ministrja finlandeze e Punëve të Jashtme, Elina Valtonen, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë ajo është takuar me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Ministri Hasani, ka pritur në takim ministren Valtonen, ndërkohë pas takimit dypalësh dy homologët mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet e marrëdhënieve mes dy vendeve, luftën Rusi-Ukrainë, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe çështje të tjera.

Hasani u shpreh se me ministren Valtonen ka diskutuar mbi disa tema të rëndësishme, sipas tij mbi mundësitë e zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe mbi zgjerimin e BE-së dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor.

“Gjithashtu, shqetësimet mbi sigurinë ishin një tjetër temë, veçanërisht në këtë kohë kur rreziqet gjeopolitike kanë potencialin të ndikojnë në stabilitetin dhe perspektivën edhe të rajonit tonë. Diskutimi ishte i plotë edhe për sa i përket bashkëpunimit tonë shumëpalësh, me fokus të veçantë OSBE-në, sidomos duke marrë parasysh kryesinë e ardhshme të Finlandës për këtë organizatë për vitin tjetër”, tha Hasani.

Kryediplomati i Shqipërisë tha se siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të një rëndësie kritike.

“Në këtë pikë, nënvizuam nevojën që NATO dhe BE të ruajnë fokusin e tyre në këtë rajon strategjik dhe të kundërshtojnë ndikimin keqdashës të aktorëve të tretë”, tha Hasani. Ai shtoi se me ministren Valtonen ndanë edhe shqetësimin real për luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe pasojat e saj në të gjithë kontinentin.

“Riafirmuam edhe një herë pa mëdyshje mbështetjen tonë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne qëndrojmë gjithmonë me Ukrainën dhe krahas vendeve të njëmendta, do të vazhdojmë ta mbështesim atë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha Hasani.

– Valtonen: Shpresojmë që të jemi aktivë në mbështetjen tonë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së

Valtonen deklaroi se marrëdhëniet bilaterale mes Finlandës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe se nuk ka asnjë çështje pezull.

“Shpresojmë dhe presim lidhje të tjera edhe më të fuqishme dhe më të ngushta. Dëshirojmë që ta përforcojmë këtë bashkëpunim edhe në fushën e ekonomisë. Shpresojmë që të jemi aktivë në mbështetjen tonë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”, tha Valtonen.

Ajo u shpreh se si aleatë do të fokusohen tek siguria, duke shtuar se siguria është mjaft e rëndësishme. “Të gjithë e dimë se sa e rëndë është lufta në Ukrainë dhe ne do të mbështesim Ukrainën për sa kohë të jetë e nevojshme”, theksoi Valtonen.

Kryediplomatja finlandeze tha se OSBE-ja ka rol të jashtëzakonshëm në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Është mjaft e rëndësishme që ne të forcojmë të gjitha institucionet demokratike dhe të kemi kudo zbatim të ligjit. Është mjaft e rëndësishme që gjitha këto vende (të Ballkanit Perëndimor) të plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e BE-së”, tha ndër të tjera ajo.

SHARE