Michele Servadei, shtetas i Italisë, fillon sot mandatin e tij si shef i zyrës përfaqësuese të UNICEF-it në Mal të Zi.
Pas shumë vitesh përvojë ndërkombëtare në UNICEF, agjenci të tjera të OKB-së dhe organizata joqeveritare, siç tha UNICEF, Servadei tani do të udhëheqë misionin e UNICEF-it për të mirën e çdo fëmije në Mal të Zi.
“UNICEF në Mal të Zi do të vazhdojë të mbështesë ndërtimin e një shoqërie që ofron të drejta dhe mundësi të barabarta për çdo fëmijë. Në këtë mënyrë Mali i Zi do ta përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Servadei.
Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, emëroi Servadei-n në krye të zyrës përfaqësuese të UNICEF-it në Mal të Zi dhe mandati i tij fillon sot – pas dorëzimit të letrave kredenciale në Qeverinë e Malit të Zi.
Para se të merrte këtë pozicion, Servadei ishte Shef i Zyrës së UNICEF-it në Libi, Këshilltar Rajonal i UNICEF-it për Situatat Emergjente për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe Zëvendës Shef i Zyrës së UNICEF-it në Etiopi dhe Jordani.
“Gjatë karrierës së tij, Servadei ka punuar në organizata të ndryshme joqeveritare dhe agjenci të OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në aksione humanitare dhe menaxhim programesh në Shqipëri, Irak, Kenia, Somali, Sudan, si dhe në disa vende të Lindjes së Mesme”, njoftoi UNICEF-i në Mal të Zi.
Ai ka diplomë për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, master në zhvillim ndërkombëtar dhe është avokat i certifikuar.
Servadei është kreu i pestë i zyrës përfaqësuese të UNICEF-it në Mal të Zi që nga themelimi i zyrës përfaqësuese të UNICEF-it pasi Mali i Zi rifitoi pavarësinë e tij në 2006.