PRESIDENTI MILLATOVIQ E KTHEU NË RIVENDIM LIGJIN PËR BANKËN ZHVILLIMORE TË MALIT TË ZI

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim Ligjin për Bankën Zhvillimore të Malit të Zi, të cilin Kuvendi e miratoi më 17 gusht, njoftojnë nga kabineti i tij.

Në sqarim thuhet se ligji i miratuar parasheh themelimin e një institucioni të ri, Bankës Zhvillimore të Malit të Zi, e cila do të themelohet përmes transformimit të Fondit për Investime dhe Zhvillim të Malit të Zi dhe se ekzistenca e një institucioni të tillë është praktika e vendeve si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në rajon.

Shtohet se krijimi i saj do të përfaqësonte një hap drejt përmirësimit të kuadrit institucional në fushën e financimit dhe mbështetjes për ekonominë dhe se, duke pasur parasysh të gjitha të lartëpërmendurat, propozimi për krijimin e Bankës për Zhvillim është një nga hapat drejt atij qëllimi. Millatoviq tha se, megjithatë, ky ligj është një tjetër në serinë e ligjeve që i janë propozuar Kuvendit të Malit të Zi për shqyrtim pa një proces të diskutimit publik.

“Në këtë mënyrë, opinioni profesionist dhe i interesuar, si dhe aktorë të rëndësishëm të sistemit financiar si Banka Qendrore e Malit të Zi, Asociacioni i Bankave dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare, janë të përjashtuar nga procesi i përgatitjes së tij. Gjithashtu, nga procesi legjislativ janë përjashtuar edhe konsultimet me Komisionin Evropian me qëllim të harmonizimit të normave të ligjit me standardet evropiane. Prandaj, e konsideroj të papranueshme që rregullore të tilla të rëndësishme të miratohen pa konsultime më të gjera dhe pa përfshirjen e profesiontëve”, ka thënë Millatoviq në shpjegimin e tij.

Ai shtoi se është i mendimit se përveç jotransparencës së procesit të përgatitjes së Ligjit, në vetë Ligj ka edhe një sërë elementesh të tjera që duhet të shqyrtohen më tej.

SHARE