MUJOVIQ: ËSHTË HERËT TË FLASIM PËR ÇMIMET E ENERGJISË ELEKTRIKE, SHTRESAT VULNERABËL DO TË MBROHEN

Ministri i Energjisë Sasha Mujoviq nuk ka mundur të bëjë të ditur nëse do të ketë rritje të çmimit të rrymës vitin e ardhshëm, por në programin e mëngjesit të TVMZ tha se në çdo rast kategoritë e rrezikuara të konsumatorëve do të mbrohen.

“Është shumë e vështirë të thuhet nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Varet nga sa energji do të na mungojë, me çfarë çmimi do ta marrim atë energji, si do të jetë hidrologjia, si do të jetë prodhimi i energjisë diellore dhe të erës…Kur t’i mbledhim të gjitha këto, do ta dimë nëse do të ketë rritje të energjisë elektrike”, tha ministri.

Ai thotë gjithashtu se në çdo rast do të mbrohen kategoritë e rrezikuara të konsumatorëve.

“Ato kategori – konsumatorët e vegjël nuk do të rrezikohen dhe ne do të gjejmë mënyrën për t’i mbrojtur. Kush mund të presë rritje të çmimeve, ata konsumatorë që shpenzojnë shumë, subjektet afariste… Por vërtet është herët të flasim për këtë dhe duhet të kemi një analizë të plotë”, thotë ministri Mujoviq.

Mujoviq thotë se prokurimi i energjisë elektrike nuk është një proces i thjeshtë dhe vitin e ardhshëm do të na mungojnë rreth 700 GWh energji elektrike për shkak të rindërtimit të Termocentralit në Plevla.

Deri më tani nuk është siguruar rryma dhe siç thotë ai është në kërkim të momentit më të favorshëm. Ai gjithashtu thekson se situata aktuale ka treguar se është më mirë të blihet energjia elektrike në disa transhe më të vogla.

“Periudha optimale për blerjen e energjisë elektrike është tremujori i tretë dhe i katërt i vitit”, tha Mujoviq, duke shtuar se është e vështirë të merret kjo masë dhe të zvogëlohet apo eliminohet rreziku.

SHARE