Të premten, më 23 gusht, skadon afati për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga Serbia në ato të Kosovës. Pas skadimit të afatit, më nuk do të tolerohen këto dokumente që Serbia i lëshon për qytetet e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, sqaroi për Radion Evropa e Lirë se policia vetëm gjatë kësaj fundjave do t’i paralajmërojë vozitësit që nuk kanë marrë patentë shoferi të Kosovës. Ndërkaq, nga e hëna, më 26 gusht policia do të nisë shqiptimin e gjobave.
Prandaj, nëse dikush prezanton patentë shoferin e lëshuar nga Serbia për qytetet e Kosovës gjatë një kontrolli të trafikut nga java e ardhshme, do të konsiderohet se nuk ka fare patentë shofer.
Gjobat për mospasje të patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova variojnë nga 500 deri në 1.500 euro.
Afati për konvertimin e patentë shoferëve të Serbisë ishte zgjatur sërish më 8 gusht, pasi sipas Ministrisë së Brendshme të Kosovës, kishte interesim të madh të qytetarëve.
Deri më 22 gusht, 6.325 persona kanë konvertuar patentë shoferët e lëshuar nga Serbia me ato të Kosovës, kryesisht në katër komuna me shumicë serbe në veri: Mitrovica e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Autoritetet e Kosovës nuk i njohin dokumentet e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës. Megjithatë, në disa raste ato “tolerohen” për shkak se procesi i integrimit të serbëve në sistemin e Kosovës nuk ka përfunduar plotësisht.
Për këtë, sipas Elshanit, në periudhën në vijim ngasja e veturës me targa të qyteteve të Serbisë do të tolerohet me autorizim, por me patentë shofer të Kosovës.
Autorizimet për automjetet në Serbi lëshohen në bazë të letërnjoftimit dhe patentë shoferit. Praktikisht, kjo nënkupton se serbët nga Kosova, të cilët nuk e kanë ndërruar vendbanimin në sistemin serb dhe ngasin veturë me targa të një qyteti në Serbi, janë të autorizuar të kenë të dhënat e letërnjoftimit të lëshuar nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovën të cilën Prishtina zyrtare nuk e njeh.