KOPMAN ME SPAJIQIN PËR TEMA TË RËNDËSISHME PËR ZHVILLIMIN DHE INTEGRIMIN E MALIT TË ZI NË BE

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, do të takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Kopman, i cili po qëndron për vizitë në Malin e Zi.

Gjatë vizitës dyditore të Drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, delegacionet e Qeverisë së Malit të Zi dhe të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë një sërë takimesh me këto tema: politika e zgjerimit dhe agjendat reformuese të Qeverisë së Malit të Zi në kuadër të Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe Strategjia e investimeve të cilat, siç është paralajmëruar nga Qeveria, i mundësojnë Malit të Zi të tërheqë investitorë evropianë dhe të shfrytëzojë periudhën deri në anëtarësim në BE që ekonominë dhe standardet e tij t’i afrojë sa më shumë me standardet e BE-së.

Në delegacionin e Qeverisë së Malit të Zi të kryesuar nga kryeministri do të jenë zëvendëskryeministri Filip Ivanoviq, ministrat Maida Gorçeviq dhe Bojan Bozhoviq, shefi i Misionit të Përhershëm të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ambasadori Petar Markoviq dhe kryenegociatori i Malit të Zi me Bashkimin Evropian, Predrag Zenoviq.

SHARE