KURTI BISEDON ME SENATORIN CHRIS MURPHY PËR ZHVILLIMET NË KOSOVË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bisedoi me senatorin amerikan Chris Murphy për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për sigurinë në rajon, njoftoi zyra e kryeministrit të mërkurën.

Takimi mes tyre u zhvillua në margjinat e Konventës Kombëtare Demokratike në Çikago të Shteteve të Bashkuar, sipas njoftimit.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre me vendimet e fundit të Qeverisë së Kurtit për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veri dhe për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe.

“Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Ai shtoi se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në njoftim.

Kurti kërkoi që Shtetet e Bashkuara t’i bëjnë trysni Serbisë të pranojë ekstradimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i cili e mori përgjegjësinë për një sulm të armatosur kundër Policisë së Kosovës vitin e kaluar në veri.

“Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë Kryeministri Kurti kërkoi që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, tha zyra e tij.

SHARE