NDIHMËSSEKRETARI I NATO-s: TË GJITHË NË KOSOVË DUHET TË PËRMBAHEN NGA VEPRIMET E NJËANSHME

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadorin Boris Ruge.

Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani ka përsëritur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.

“Në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftim.

Tutje, presidentja Osmani e uroi ambasadorin Ruge për samitin e suksesshëm të NATO-s në Washington, ku Republika e Kosovës u përfshi për herë të parë në një sërë aktivitetesh në kuadër të samitit, me ftesë të Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit Antony Blinken, ku u riafirmua uniteti transatlantik dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën.

“Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të krijojnë tensione. Kjo është e rëndësishme për sigurinë afatgjate në Kosovë – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, shkroi Rogue në X.

Ai shtoi se NATO-ja është krenare që i ka ofruar mjedis të sigurt të gjithëve në Kosovë në 25 vjetët e fundit, dhe shtoi se për urën mbi Ibër në takim me Osmanin e theksoi qëndrimin e aleancës se vendimet duhet të merren “përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar”.

SHARE