Bashkimi Europian ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të dëgjojnë partnerët dhe aleatët në lidhje me hapjen e urës së Ibrit.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano në konferencën për media theksoi se qëndrimi i BE-së në lidhje me urën e Ibrit nuk ka ndryshuar.
“Qëndrimi i Bashkimit EUropian në lidhje me urën është përshkruar shumë qartë në ditët dhe javët e fundit dhe është komunikuar edhe me partnerët në Prishtinë dhe është diskutuar gjerësisht me të gjithë partnerët e tjerë brenda BE-së, me SHBA, me NATO-n dhe KFOR-in, dhe qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar,“ tha Stano.
Zëdhënësi i BE tha se në lidhje me këtë çështje ka diskutime të vazhdueshme me Kosovën.
„Mund të shtoja vetëm duke kujtuar se po, ka diskutime dhe ndërveprime të vazhdueshme për këtë çështje, diskutime dhe ndërveprime të vazhdueshme për këtë çështje me qëllim ose në përputhje me qëndrimin e Bashkimit Evropian që hapat e njëanshëm, të pakoordinuar duhet të shmangen dhe kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut,“ tha Stano.
Zëdhënësi i BE-së ka shtuar se nuk ka datë se kur mund të ketë takim për të diskutuar hapjen e urës në Bruksel.