ZGJEDHJET E RREGULLTA PARLAMENTARE NË KOSOVË, MË 9 SHKURT

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e vitit 2025 datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë.

Në dekretin e nënshkruar nga Osmani thuhet se caktimi i datës së zgjedhjeve u bë pas konsultimeve me partitë politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, këshilltari politik i Osmanit, Bekim Kupina, tha se pas konsultimeve me partitë politike, por edhe me kreun e KQZ-së, 9 shkurti u zgjodh si “datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira”.

“Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar. Për më tepër, presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve”, shkroi Kupina në Facebook.

Sipas tij, Osmani do të kërkojë që të monitorohet aspketi i barazisë gjinore gjatë fushatës, por edhe gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Presidentja, së shpejti, do t`i ftojë të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një listë zotimesh të përbashkëta, me të cilat shprehet përkushtimi i tyre për t`i ruajtur standardet më të larta në këtë proces zgjedhor”, tha Kupina.

Me datë 9 shkurt në zgjedhjet parlamentare kosovare do të jetë edhe më e lehtë për ata që banojnë në diasporë që të votojnë për kandidatët për deputetë.

Me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, fillimisht ata do të bëjnë aplikimin përmes platformës elektronike për t’u regjistruar përmes e-mailit personal si votues jashtë Kosovës brenda një periudhe të caktuar kohore.

Mënyra tjetër, që ju mundësohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, bëhet përmes postës, në një nga kutitë postare të KQZ-së.

Në momentin e regjistrimit, votuesit do të vendosin individualisht sesi do ta kryejnë votimin duke ardhur, fizikisht në vendlindje, duke shkuar në përfaqësinë diplomatike kosovare ose duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës.

Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë.

SHARE