PAETONGTARN SHINAWATRA ZGJIDHET KRYEMINISTRJA MË E RE NË HISTORINË E TAJLANDËS

Parlamenti i Tajlandës e ka zgjedhur të premten Paetongtarn Shinawatran, vajzën e ish-liderit dhe miliarderit Thaksin, si kryeministre të re të vendit.

Paetongtarn, 37-vjeçare, u bë kryeministrja më e re në moshë e Tajlandës dhe vetëm gruaja e dytë që e mban këtë pozitë, pas hallës së vet, Yingluck.

Ajo u emërua vetëm dy ditë pasi ish-kryeministri, Srettha Thavsin, u shkarkua nga Gjykata Kushtetuese e vendit. Të dy janë nga Partia Pheu e Tajlandës, e cila doli e dyta në zgjedhjet e vitit 2023, por e formoi një koalicion qeverisës.

Paetongtarn përballet me detyrë të vështirë për ta ringjallur ekonominë e ngecur të Tajlandës dhe për t’i shmangur puçet ushtarake dhe ndërhyrjet e gjykatave, të cilat i kanë rrëzuar katër qeveritë e kaluara të udhëhequra nga partia e saj.

Ajo do të bëhet gruaja e dytë lidere e Tajlandës dhe personi i tretë nga familja Shinawatra që e udhëheq vendin, pas hallës së vet, Yingluck Shinawatra, dhe babait Thaksin Shinawatra. Thaksin është politikani më me ndikim dhe më polarizues në vend.

Paetongtarn fitoi me lehtësi, pasi i mori 319 vota për, që është pothuajse dy të tretat. Ajo nuk ishte e pranishme në seancën e Parlamentit dhe e shikoi atë nga zyrat qendrore të Parisë Pheu të Tajlandës.

Komenti i saj i parë publik pas fitores ishte postimi i një fotografie nga dreka e saj – oriz pule – me mbishkrimin: “Ushqimi i parë pas dëgjimit të votimit”.

Babai i saj, Thaksin, është njëri prej figurave më të njohura politike në vend dhe ishte rrëzuar nga pushteti nga një puç ushtarak më 2006. Ai shihet nga shumë si de fakto lider i partisë Pheu.

Paetongtarn u fut në politikë më 2021 kur partia Pheu njoftoi se ajo do ta udhëhiqte një komision këshillues gjithëpërfshirës. Ajo u emërua kryetare e partisë Pheu vitin e kaluar, pasi u caktua në mesin e tre kandidatëve të partisë për kryeministër të vendit.

Gjatë fushatës zgjedhore, ajo e pranoi e ka lidhje familjare me partinë, por nguli këmbë se nuk ishte thjesht përfaqësuese e babait të saj.

“Nuk është hija e babait tim. Unë jam vajza e babait tim, gjithmonë dhe përherë, por unë i marr vendimet vetë”, tha ajo për gazetarë.

SHARE