PAPA BËN THIRRJE PËR ARMËPUSHIM NË GAZA DHE PËR TË PARANDALUAR ZGJERIMIN E KONFLIKTIT

Lideri shpirtëror i katolikëve dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku, deklaroi se e ndjek me shqetësim situatën humanitare në Gaza, ku vazhdojnë sulmet izraelite, dhe bëri thirrje që të bëhet çdo përpjekje për të parandaluar zgjerimin e konfliktit dhe për të ndjekur rrugën e negociatave për armëpushim. 

Me rastin e festës së Fjetjes së Virgjëreshës Mari më 15 gusht, Papa bëri lutjen e tij tradicionale nga dritarja e zyrës së tij me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan.

Në fjalimin e tij pas lutjes, Papa Françesku tha se po mendonte për Ukrainën, Lindjen e Mesme, Palestinën, Izraelin, Sudanin dhe Mianmarin.

Duke folur për zhvillimet në Lindjen e Mesme, Papa tha: “Unë vazhdoj të ndjek me shqetësim situatën humanitare në Gaza. Kërkoj edhe një herë që të ndalet zjarri në të gjitha frontet, të lirohen pengjet dhe të ndihmohen njerëzit e rraskapitur. I ftoj të gjithë të bëjnë çdo përpjekje për të parandaluar zgjerimin e konfliktit dhe të ndjekin rrugën e negociatave për t’i dhënë fund kësaj tragjedie sa më shpejt të jetë e mundur. Të mos harrojmë se lufta është disfatë”.

Në pjesën e fundit të fjalimit të tij, Papa deklaroi se është lutur për të prekurit nga zjarret në pyje në Greqi.

SHARE