ISHP REKOMANDOI QË FËMIJËVE TË PAVAKSINUAR TË MOS U LËSHOHEN CERTIFIKATA TË QËNDRIMIT NË INSTITUCIONET PARASHKOLLORE

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) u rekomandoi qendrave shëndetësore që deri më 15 gusht të mos lëshojnë certifikata të qëndrimit në institucionet parashkollore për fëmijët që nuk janë vaksinuar plotësisht në përputhje me moshën.

Nga ISHP thanë për portalin „Prindërit“ se ky rekomandim është bërë për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike në lidhje me fruthin, si dhe nevojës për plotësimin e formularit të konfirmimit me këshilla konkrete për prindërit.

Në atë institucion shëndetësor e konsiderojnë se fëmijët të cilët nuk janë vaksinuar, sidomos kundër sëmundjeve si fruthi, shytat, rubeola dhe kollë e mirë, nuk duhet të shkojnë në institucionet parashkollore.

„Mirëpo, ISHP nuk është kompetente për të marrë vendime të tilla, kështu që ne nuk mund t’i marrim ato”, thanë nga Instituti.

Nga ai institucion shëndetësor theksuan se janë jashtëzakonisht të shqetësuar se në fillim të vitit të ri shkollor mund të ketë një përkeqësim të dukshëm të situatës, e cila do të rrezikonte rëndë shëndetin e një numri të madh të fëmijëve.

“Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të komunikoni me saktësi rreziqet dhe të jepni këshilla dhe rekomandime të përshtatshme. Është e nevojshme që të gjithë të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë, duke filluar nga prindërit dhe të gjitha hallkat e sistemit”, tha ISHP.

Sipas rregulloreve aktuale në Mal të Zi, statusi i vaksinimit të fëmijës nuk është kusht për regjistrimin dhe qëndrimin e tij në kopsht.

Para fillimit të vitit të ri shkollor, prindërit janë të detyruar të pajisen me certifikatën e shëndetit të fëmijës nga pediatëri i përzgjedhur.

Praktika e mëparshme e disa mjekëve pediatër ishte të theksonin në certifikatat se fëmijët nuk ishin të vaksinuar, ndërsa disa kolegë të tyre përdorën shënimin se procesi i vaksinimit është në vazhdim.

SHARE